Tuesday, January 26, 2016

Përshëndesim Marrëveshjen Kosovë-Serbi, për njohjen reciproke të dokumentacionit arsimor



Kjo Marrëveshje e arritur midis ekipeve negociuese të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, për njohjen reciproke të dokumentacionit arsimor, dmth të dëftesave dhe diplomave midis Kosovës dhe Serbisë, në të gjitha nivelet e arsimit: që nga shkolla fillore, e mesme, e lartë, fakultetet, si dhe ato pasuniversitare, dmth. masterat, magjistraturat dhe doktoraturat, specializimet, etj., ka rëndësi të madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ky hap i vogël i përparimit të dialogut të Brukselit për përmirësimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, ka rëndësi të madhe, madje jetike për shqiptarët e Luginës së Preshevës. 
Sepse, të diplomuarit apo të specializiarit shqiptarë nga Lugina në universitetet e Kosovës deri tani kanë hasur në pengesa serioze për shkak të mosnjohjes së diplomave dhe specializimeve të tyre.

Prandaj, kjo çështje ka qenë brengë e madhe për ata dhe objekt angazhimi të subjekteve dhe personaliteteve politike të Luginës në Ministrinë e Arsimit në Qeverinë e Serbisë për shumë kuadro nga Lugina, të cilëve nuk u njiheshin specializimet dhe diplomat e Kosovës.
Pikërisht, mospranimi i diplomave të Kosovës ka qenë shkak i shpërnguljes së të rinjëve, ekspertëve e specialistëve nga Presheva Bujanoci dhe Medvegja.

Urojmë që të mos dalin pengesa apo kushtëzime joparimore shtesë, ashtu si din Serbia t'i bëjë "bisht" dhe ta kushtëzoj e t'i bëjë obstruksione të pafund marrëveshjeve me Kosovën, duke i dëmtuar rëndë dhe duke ua vështirësuar e nxirë jetën shqiptarve të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare.

Urojmë që kjo marrëveshje të filloj sa më parë të aplikohet nga organet kompetente të Serbisë dhe Kosovës.
Gjithashtu urojmë që të arrihen marrëveshje të tjera në këtë drejtim, si psh. zhbllokimi i librave për nxënësit shqiptarë të Luginës, që janë bllokuar qe gjashtë muaj në tefminalin doganor në Preshevë, si dhe të hiqen barrierat e përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe në administratën e pushtetit lokal, përdorimin e lirë të simboleve dhe flamurit kombëtar, etj.

Ju falemnderojmë dhe përshëndesim përzemërsisht!

Zoti e bekoftë Kosovën, Luginën e Preshevës dhe mbarë Shqiptarinë!
Me respekt dhe dashuri vëllazërore,
Kryetari,
Mr. Nehat Hyseni

Prishtinë, më 25 janar 2016

No comments:

Post a Comment