Tuesday, January 26, 2016

Nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës u duhen librat për të mësuar shqip, e jo para!



       R E A G I M

I nderuari Ministër Shala,

Fillimisht iu gëzuam aktit të dhënies së 450.000 (katërqindepesëdhjetë mijë) eurove, për tri vitet e ardhëshme, nga Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, për Kosovën Lindore.

 Iu gëzuam këtij lajmi, sepse menduam se kjo qeveri, për dallim nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga z. Hashim Thaçi, e cila gjatë shtatë vjetëve që kishte qeverisur Kosovën, asnjëherë nuk i kishte ftuar liderët e shqiptarve të Luginës, përveç rastit të krizës politike lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së. 
Por, pas atij takimi, z. Thaçi kishte shfryrë kundër tyre me sharje, nënçmim e fyerje të tërbuar e primitive, me fjalë të pista, me fjalor të panjohur në qarqet diplomatike dhe në analet e historisë sonë të shumëvuajtur kombëtare.

Andaj, kjo ndihmë e premtuar dhe kjo mirëpritje ndaj disa liderëve të Luginës, të cilët pikërisht ishin objekt sharjesh dhe fyerjesh nga z. Thaçi, meqë kishin filluar aferën e Lapidarit për përfitime politike dhe kishin zhvilluar matrapazllëqe të pista, për përfitime personale, të cilat akoma kanë mbetur të pasqaruara deri në fund.

I nderuari Ministër i Kulturës z. Kujtim Shala, 

Me rastin e nënshkrimit të Marreveshjes së Mirëkuptimit me z.Musliu, Arifi dhe Mustafa, që të gjithë së bashku përbëjnë vetë gjysmën e këshilltarëve të KKSH-së, Ju i nderuari Ministër Shala, Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Kosovës, druajmë se keni bërë me këtë rast, me (pa)dashje, gabim të shumëfishtë:
* keni pranuar vetëm një pjesë të spektrit politik të Luginës së Preshevës, që nuk e kishte bërë Kryeministri Mustafa, pak muaj më parë, duke u sugjeruar se "vetëm të kompletuar së bashku do i pranoj"! Kurse ju vepruat diametralisht ndryshe nga Kryeministri i Qeverisë suaj! 
* këta që i pranuat Ju, i nderuari Ministër Shala, janë të njohur për punët e pista që i përmendëm reth Lapidarit, kur luajtën me ndjenjat fisnike të familjarëve dhe shqiptarve dhe i tradhëtuan ata, kurse kësaj vere bënë "shou mediatik" me "Zajednicën" shqiptare në Serbi, dhe pastaj e shpërblyen me
*  "Zahvallnicë" (Mirënjohje) "për merita ndaj shqiptarve", pasuesin dhe bashkëpuntorin më të ngushtë të Vojvodës çetnik, të burgosurit të Hagës për krime lufte, Vojisllav Sheshelit, kryeministrin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin! 
* Ka zëra dhe druajtje gjithashtu se këta mund ti kenë futur gishtat edhe në bllokimin e librave për nxënësit  shqiptarë nëpërmes lidhjesh kumbarie familjare që kanë me politikanët aktual të Serbisë, me qëllim të përfitimit të poenave të lirë politikë,
* Vetëm pranimi i përfaqësuesve të tërë spektrit politik të Luginës, mund të garantoj suksesi i plotë i politikave shqiptare në Luginë, e kurrësesi duke i ndarë e përçarë dhe duke i (keq) përdorur ata për qëllime e interesa të ndryshme politike e pragmatike.

Zoti Ministër Shala, 

nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës u duhen libra shqip, për ta mbajtur gjallë arsimin shqip në këto troje të tyre stërgjyshore, e jo para! 

Sepse atyre u duhen librat shqip më shumë se buka që i mban gjallë, për ta ruajtur gjuhën e nënës dhe kulturën e tyre shqiptare në rethana dhe kushte tejet të vështira të frymëmarrjes shqip, nën zgjedhën e regjimit antishqiptar dhe fashist të Serbisë.

Prandaj, në emër të 6000 nxënësve shqiptarë, që u janë dedikuar ato libra, prindërve e familjarëve dhe të të gjithë shqiptarve të Luginës së Preshevës, 
Ju lusim me përulje dhe Ju kërkojmë!

që të bëni çmos që ta detyroni Serbinë që t'i zhbllokoj reth 105.000 copë librat shqip, të paguara nga taksapaguesit kosovarë, që i ka bllokuar në Terminalin doganor në Preshevë, duke vepruar reciprokisht edhe ju njësoj me librat për nxënësit serbë në Kosovë. 
Ju lutemi e ju përgjërohemi, të mos ua lejoni atyre librat pa marrë garancione me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve se edhe librat tona do lirohen!!!

Sepse, vetëm në këtë mënyrë do na ndihmonit më së miri!

Vetëm duke e kushtëzuar Serbinë, sipas parimit të reciprocitetit me serbët e Kosovës, Serbia do detyrohej të na respektoj të drejtat tona kombëtare dhe liritë e të drejtat qytetare e njerëzore.

U zhgënjyem pamasë dhe u dëshpruam pafund kur morëm vesh dhe me sytë tanë pamë dokumentacionin e nënshkruar nga Ministri i Arsimit, z. Bajrami dhe nga Dogana e Kosovës për lirimin e librave për serbët e Kosovës, edhepse ishit betuar se kurrë nuk do i lejoni ato, pa i liruar Serbia librat e Kosovës për nxënësit shqiptarë të Luginës?! 
Si mundët ta bëni këtë akt të papranueshëm tradhëtie dhe thikë pas shpine ndaj shqiptarve të Luginës?

Si është i mundur ky akt i papërgjegjshëm, I papranueshëm, antishtetëror e antikombëtar?
A thua, vallë, donacioni prej 450.000 eurosh u llogarit si "mito" apo shpërblim për ta harruar këtë akt të papranueshëm dhe qyqarë, që na ka tronditur thellë neve shqiptarve të Luginës dhe mbarë Shqiptarinë?!

Andaj, e nderuara Qeveri e Kosovës, 
I nderuari Kryeministër Mustafa, 
I nderuar Zëvendëskryeministër Thaçi, ministra, zëvendësministra dhe kabinet qeveritar i Kosovês, 
Ju lusim e Ju përgjërohemi që të na trajtoni vëllazërisht dhe me sinqeritet, sipas parimit të reciprocitetit, as më pak e as më shumë se si i trajtoni ju dhe Qeveria e Serbisë, serbët e Kosovës!
Sepse, edhe ne shqiptarët e Luginës së Preshevës frymojmë e jetojmë, qeshim e qajmë shqip, dhe qendër "gravitacioni" e kemi Prishtinën dhe Tiranën, ashtu si serbët e Kosovës e kanë Beogradin e Moskën.
Pa ndihmën tuaj të vendosur e të sinqertë, duke realizuar pikë për pikë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të 6 qershorit 2013, ne shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk mund të qëndrojmë në këto troje tona stërgjyshore, si "peshku në zallë" dhe herët a vonë, do i braktisim e do ia lëmë Serbisë, duke ia shkēputur trungut kombëtar këtë rajon që dijetarët e quajtën "Perlë e Ballkanit"!

Zoti e bekoftë Kosovën, Luginën e Preshevës dhe
mbarë Shqiptarinë!

Me respekt e dashuri vëllazërore,
Kryetari,
Mr. Nehat Hyseni 
Prishtinë, më 26 janar 2016

No comments:

Post a Comment