Sunday, June 5, 2016

Urime për Muajin e Shenjtë, RAMAZANIN!


Të gjithë besimtarve islamë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe të Luginës së Preshevës, si dhe të gjithë myslimanëve gjithandej në botë, i urojmë Muajin e Shenjtë RAMAZANIN dhe u dëshirojmë agjërim të lehtë, duke lutur Zotin e Gjithmëshirshëm që t'ua pranoj të gjithëve sevapet e agjërimit, lutjeve dhe ibadeteve e devotshmërisë.
Zoti i Madhëruar i bekoftë të gjithë shqiptarët dhe myslimanët, kudo që janë!
Me respekt e dashuri vëllazërore,
Kryetari,
Mr. Nehat Hyseni
Prishtinë, më 5 qershor 2016

Friday, June 3, 2016

Mbledhja e tretë e dy qeverive, zhgënjyese për shqiptarët e Luginës së Preshevës!




Mbledhja e tretë e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, që u mbajtë më 3 qershor 2016 në Prishtinë, kaloi me disa fraza të thata të Edi Ramës dhe të anashkalimit të plotë të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Ky realitet i hidhur është dëshprues dhe tmerrësisht zhgënjyes për shqiptarët e Luginës. 
Porosia politike nga ky mosinteresim i pabesueshëm dhe nga anashkalimi, indiferentizmi dhe neglizhimi fyes ndaj kësaj pjese të Shqiptarisë, është frustruese dhe e rrezikëshme.
Deklarimi i Edi Ramës se "të drejtat e shqiptarve të Luginës së Preshevës duhet të respektohen nga Serbia, ashtu si respektohen të drejtat e serbëve në Kosovë", paraqet një kërkesë "sa për sy e faqe", karshi opinionit: pa përmbajtje dhe pa porosi të qartë dhe eksplicite politike!
Vallë, si do t'i respektoj Serbia të drejtat e shqiptarve të Luginës, pa përfshirjen e tyre në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel? 
Këtë Edi Rama dhe Isa Mustafa, nuk e thonë!
Si do të detyrohet Serbia që ta ndërpres diskriminimin gjenocidal ndaj shqiptarve të Luginës, kur dihet se ata janë braktisur dhe janë lënë pamëshirshëm, pa kurrëfarë garancash e pa kurrëfarë monitorimi ndërkombëtar, nën mëshirën dhe nën vullnetin e munguar të qeverisë antishqiptare të Serbisë, që aktualisht qeveriset nga pasardhësit politikë të vojvodës çetnik, Vojisllav Sheshelit, i cili dikur kërcnohej se "do t'i shpërngul të gjithë shqiptarët matanë Bjeshkëve të Nemura"?!

Këtë nuk e tha as Z. Rama, e as Z. Mustafa!
 Kurse, pa këto garanca ndërkombëtare, Lugina do të boshatiset shumë shpejt, madje me "bekimin" e Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu si u braktis dikur Çamëria nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës.
Shqetësimi ynë pas kësaj mbledhje të dy qeverive, në vend që të zvogëlohej, ai u shtua edhe më shumë. 

Mllefi dhe zhgënjimi popullor dhe gjendja e pashpresë, si dhe ndjenja se ata definitivisht janë braktisur nga vëllezërit shqiptarë dhe nga qeveritë e dy shteteve shqiptare në Ballkan, si dhe nga miqtë ndërkombëtarë, paraqet rrezik për stabilitetin, balancën, ekuilibrin politik dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Vetëm atëherë kur do të përfshihet Lugina në dialogun e Brukselit dhe kur shqiptarët e Luginës së Preshevës të trajtohen sikur serbët në Kosovë, do të kenë kuptim dhe do të merren seriozisht deklaratat e Edi Ramës dhe të Isa Mustafës, si dhe  të politikanëve të tjerë nga Shqipëria e Kosova dhe do t'u besohet se e kanë me sinqeritet  dhe me përkushtim vëllazëror, ashtu si i trajton dhe si interesohet e kujdeset institucionalisht e politikisht Serbia për serbët e Kosovës.

Mbase, ka ardhur koha që t'i thuhet troç dhe pa ekuivoke: stop frazave të thata, boshe e frustruese dhe të bëhen vepra dhe hapa të domosdoshëm në ruajtjen e substancës kombëtare të shqiptarve, kudo që janë, e sidomos atyre në Luginë të Preshevës, të cilët aktualisht janë cilësuar si komuniteti më i diskriminuar në Europë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Luginën e Preshevës dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë!
Me respekt dhe dashuri të pafund vëllazërore,
Kryetari,
Mr. Nehat Hyseni
Prishtinë, më 3 qershor 2016

Wednesday, June 1, 2016

Shqipëri dhe Kosovë, mos e neglizhoni çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës!



Mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqitare, e Kosovës dhe Shqipërisë, po afrohet! 

Ka mbetur vetëm pak kohë deri të premten, më 3 qershor 2016, por nuk kemi asnjë informacion për ndonjë kontakt të kreut të ri politik të Luginës së Preshevës, të dalur nga zgjedhjet e 24 prillit 2016, me këto qeveri dhe as për ndonjë përgatitje eventuale për futjen e çështjes së shqiptarve të Luginës në agjendë të kësaj mbledhje.

Kjo neglizhencë na shqetëson dhe na brengosë shumë neve, shqiptarve të Luginës, që jetojmë e veprojmë në Kosovë.

Duam të përkujtojmë se, më 6 qershor bëhen tre vjet të plota nga miratimi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës dhe akoma ka mbetur e pa realizuar. 

Ndërkaq, gjendja e shqiptarve në Luginë është përkeqësuar edhe më shumë. 
Kurse, situata dramatike e destabilitetit politik dhe pasigurisë në Maqedoni, rrezikon edhe Luginën e Preshevës, meqë edhe ngjarjet e vitit 2000-2001 në Luginë dhe ato të vitit 2001-2002 në Maqedoni, dëshmuan se zjarri i luftës në këtë rajon i përfshinë të gjithë.
Shqetësimi ynë për mospërfshirjen e Luginës në dialogun e Brukselit është i madh dhe gjendja e shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk mund të zgjidhet pa bashkëpunim të ngushtë, intensiv, të sinqertë dhe vëllazërorë e institucional me Shqipërinë dhe Kosovën.

Andaj, apelojmë që kjo çështje të mos neglizhohet nga lidershipi i ri i Luginës, si dhe nga z. Rama e z. Mustafa si kryeministra.
 Sepse, pasojat do jenë katastrofale!
Destabilizimi i Luginës dhe Maqedonisë do e rrezikoj e destabilizoj edhe Kosovën e Shqipërinë. 
Këtë e ka dëshmuar katërcipërisht historia jonë më e re, se fati i shqiptarve, kudo që janë, është një dhe i pandarë! 

Rasti i heqjes së Lapidarit të dëshmorëve në Preshevë nga xhandarmeria e Serbisë, më 20 janar 2013, shkaktoi revoltë dhe destabilizoi edhe Kosovën, me rrënimin e varrezave serbe, etj.

Prandaj, çështja e mjerë dhe diskriminuese e shqiptarve të Luginës duhet të jetë në krye të agjendës së mbledhjes së 3 qershorit, që nuk guxon kurrësesi të neglizhohet apo të anashkalohet!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës!
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që janë!

Me respekt dhe dashuri të pafund vëllazërore,

Kryetari i SHQLPK-së,
Mr. Nehat Hyseni 

Prishtinë, më 31 maj 2016