Wednesday, June 1, 2016

Shqipëri dhe Kosovë, mos e neglizhoni çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës!



Mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqitare, e Kosovës dhe Shqipërisë, po afrohet! 

Ka mbetur vetëm pak kohë deri të premten, më 3 qershor 2016, por nuk kemi asnjë informacion për ndonjë kontakt të kreut të ri politik të Luginës së Preshevës, të dalur nga zgjedhjet e 24 prillit 2016, me këto qeveri dhe as për ndonjë përgatitje eventuale për futjen e çështjes së shqiptarve të Luginës në agjendë të kësaj mbledhje.

Kjo neglizhencë na shqetëson dhe na brengosë shumë neve, shqiptarve të Luginës, që jetojmë e veprojmë në Kosovë.

Duam të përkujtojmë se, më 6 qershor bëhen tre vjet të plota nga miratimi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës dhe akoma ka mbetur e pa realizuar. 

Ndërkaq, gjendja e shqiptarve në Luginë është përkeqësuar edhe më shumë. 
Kurse, situata dramatike e destabilitetit politik dhe pasigurisë në Maqedoni, rrezikon edhe Luginën e Preshevës, meqë edhe ngjarjet e vitit 2000-2001 në Luginë dhe ato të vitit 2001-2002 në Maqedoni, dëshmuan se zjarri i luftës në këtë rajon i përfshinë të gjithë.
Shqetësimi ynë për mospërfshirjen e Luginës në dialogun e Brukselit është i madh dhe gjendja e shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk mund të zgjidhet pa bashkëpunim të ngushtë, intensiv, të sinqertë dhe vëllazërorë e institucional me Shqipërinë dhe Kosovën.

Andaj, apelojmë që kjo çështje të mos neglizhohet nga lidershipi i ri i Luginës, si dhe nga z. Rama e z. Mustafa si kryeministra.
 Sepse, pasojat do jenë katastrofale!
Destabilizimi i Luginës dhe Maqedonisë do e rrezikoj e destabilizoj edhe Kosovën e Shqipërinë. 
Këtë e ka dëshmuar katërcipërisht historia jonë më e re, se fati i shqiptarve, kudo që janë, është një dhe i pandarë! 

Rasti i heqjes së Lapidarit të dëshmorëve në Preshevë nga xhandarmeria e Serbisë, më 20 janar 2013, shkaktoi revoltë dhe destabilizoi edhe Kosovën, me rrënimin e varrezave serbe, etj.

Prandaj, çështja e mjerë dhe diskriminuese e shqiptarve të Luginës duhet të jetë në krye të agjendës së mbledhjes së 3 qershorit, që nuk guxon kurrësesi të neglizhohet apo të anashkalohet!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës!
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që janë!

Me respekt dhe dashuri të pafund vëllazërore,

Kryetari i SHQLPK-së,
Mr. Nehat Hyseni 

Prishtinë, më 31 maj 2016


No comments:

Post a Comment