Tuesday, May 24, 2016

Dy qeveritë shqiptare të vendosin që çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës të kyçet në Dialogun e Brukselit!

Përshëndesim dhe falemnderojmë përzemërsisht për reflektimim e Ministres për Dialog të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Edita Tahiri, si dhe për propozimin e saj që në Mbledhjen e Tretë të dy qeverive, që do të mbahet më 3 qershor 2016, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, të futet në agjendë edhe çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Meqë zonja ministre është udhëheqëse e bisedimeve në Bruksel, shpresojmë që edhe çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës të futet në agjendë të këtij Dialogu, si çështje plotësisht e barabartë me atë të serbëve të Kosovës.
Sepse, konsiderojmë se kështu do i ndihmohej më së miri kësaj pjese të Shqiptarisë, e cila pas vitit 1999 ka mbetur e vetmuar, si jetime nën mëshirën dhe urrejtjen e tërbuar antishqiptare të Serbisë.
Por, në këtë mënyrë do t'i ndihmohej edhe Republikës së Kosovës. Sepse, poqese do të aplikohej me konsekuencë dhe vendosmëri shtetformuese parimi i reciprocitetit midis këtyre dy çështjeve, dmth. midis çështjes së serbëve të Kosovës dhe çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, kërkesat joreale, megalomane dhe mospërfillëse të serbëve ndaj shtetit të Kosovës do të reduktoheshin në masë të madhe dhe do bëheshin më realiste dhe më të arsyeshme. 
Njëkohësisht, me futjen e çështjes së shqiptarve në Dialogun e Brukselit, Serbia më lehtë do të kushtëzohej dhe detyrohej për zbatimin më të disiplinuar dhe gjithsesi më pak do të jetë e interesuar për shmangjen dhe eskivimin e realizimit të obligimeve nga Dialogu i Brukselit.
Vetëm në këtë mënyrë, pra, duke i trajtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës si të barabartë me serbët e Kosovës, do t'i ndëpritej rruga realizimit ogurzi të Asociaciont të Komunave me shumicë serbe apo "Zajednicës ", që pretendon të realizohet si "Republikë Serbe", që realisht e sfidon Pavarësinë dhe Sovranitetin e Republikës së Kosovës, por dhe fyen rëndë ndjenjat patriotike e shtetformuese të popullit të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarve në Ballkan, që realisht paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke e shndërruar në vatër krize, konfliktesh të armatosura dhe në luftë me pasoja shumë të rrezikëshme dhe të paparashikueshme në këtë pjesë të Europës.
 Lufta e vitit 1999 në Kosovë, konflikti i armatosur i vitit 2000-2001 e UÇPMB-së në Luginë të Preshevës dhe Lufta 2001-2002 e UÇK-së në Maqedoni, mjerisht paraqesin rrezik permanent që të përsëriten, meqë, a duket, është zgjedhur rruga e gabuar për zgjidhjen e çështjes së pakicave kombëtare apo minoriteteve në Ballkan. 
Pra, derisa për zgjidhjen e çështjes së minoritetit serb në Kosovë është investuar e tërë Europa, si dhe dy qeveritë shqiptare, duke siguruar standarde tepër të larta, madje të papara në Europë dhe në botë, kurse për çështjen e shqiptarve si minoritet në Serbi (dhe në Maqedoni) është duke u aplikuar rruga e anashkalimit dhe injorimit e mospërfilljes.

Kjo është duke ndodhur realisht,  mbase nga shkaku se, sa duket, akoma ka njerëz të atillë në Ballkan që mendojnë se çështja e shqiptarve, siç thoshte dhe siç vepronte dikur regjimi i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, se duhet zgjidhur sipas metodës së Srebrenicës në Bosne, "duke i vrarë të gjithë!", apo bashkëveprimtarit të tij Vojisllav Sheshelit, se "duhet dëbuar shqiptarët matanë Bjeshkëve të Nemura"!
Mospërfshirja e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit, mbase duhet të ketë ndodhur nga politikbërja e mbështetur në konceptin makabër, të cilin e përmendëm, që ia kishte pasë thënë troç në sy Presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviqi, të dërguarit Amerikan, Gellbart, gjatë vizitës së tij në Beograd. 

Historia e politikbërjes serbe në këto troje është e stërmbushur me shembuj të këtillë, të shfarosjes në masë, masakrave dhe gjenocidit ndaj kombeve dhe minoriteteve, e sidomos ndaj shqiptarve në Ballkan.

Historia e shumëvuajtur e shqiptarve të këtyre trojeve nga Serbia, akoma kullon gjak dhe kërcnon seriozisht paqen në Ballkan!
Mbase është koha e fundit që Europa, por edhe Republika e Kosovës dhe Shqipëria, ta kuptojnë se nuk mund të sigurojnë paqe, mirëqenie e stabilitet në vendet e tyre dhe në rajon e Europë, duke i sakrifikuar shqiptarët e kësaj ane, duke i poshtëruar e diskriminuar pafundësisht ata, si dhe duke dashur të bëhen "më katolikë se Papa", duke e ngritur çështjen e minoritetit serb në Kosovë mbi të gjitha standardet botërore, në njerën anë, si dhe duke e anashkaluar dhe duke e përjashtuar nga dialogu çështjen e shqiptarve të Luginës dhe jo vetëm, në anën tjetër!
Poqese dojmë sinqerisht paqe, drejtësi dhe stabilitet e mirëqenie në rajon, ato duhen siguruar për të gjithë, e kurrësesi jo duke duke favorizuar disa e duke diskriminuar të tjerët!
Andaj, mendojmë se Dialogu i Brukselit duhet të vendosë barazi, pajtim, paqe e mirëqenie për të gjithë në rajon. 
Por, vallë, a do të jetë e mundur dhe sa gjatë mund të ruhet paqa e stabiliteti duke i përjashtuar shqiptarët nga Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel?!
Ngjarjet që pasuan me shkatërrimin dhe demolimin e varrezave të serbëve gjithandej nëpër Kosovë,  pas heqjes me dhunë të Lapidarit të UÇPMB-së, më 20 janar 2013 në Preshevë, nga xhandarmeria e armatosur "deri në dhëmbë" e Serbisë, vërtetuan katërcipërisht se sa e brishtë është paqja e stabiliteti politik në këtë pjesë të Europës dhe se mjafton një "shkëndi", që të ndizet situata, duke rrezikuar të gjitha investimet dhe të arriturat 
e mundimëshme paqësore në këtë nënqiell.
Mbase, shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të shpërfillen edhe kësaj radhe nga dy qeveritë shqiptare edhe në mbledhjen e 3 qershorit 2016, duke menduar se në këtë mënyrë "do i kontribuohej paqes dhe mirëqenies" në rajon. 
Druajmë se mpspërfilljes së tillë të çështjes së shqiptarve të Luginês së Preshevës nga dy qeveritë shqiptare, shqiptarët do i përgjigjeshin me shpërthimin e revoltës, pakënaqësisë dhe zemërimit në protesta masive nëpër rrugët e Prishtinës dhe Tiranës dhe gjithandej në qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, duke i shtuar edhe më tepër pakënaqësitë aktuale të shqiptarve në dy anët e kufirit.

Por, na merr mendja se ky do ishte gabim i madh historik, mbase i pafalshëm, që mund ta destabilizoj sërish rajonin, madje edhe më fuqishëm se se asnjëherë më parë!
 Sepse, kjo plagë në trupin gjithëkombëtar të shqiptarve në Ballkan, mbase edhe mund të anashkalohet nga dy qeveritë shqiptare, por kjo është me rrezik se do e shkaktoj reagimin e popullit shqiptar, që realisht do e rrezikonte paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjërë!
Prandaj, konsiderojmë se vetëm me trajtimin e barabartë të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës me atë të serbëve të Kosovës në Dialogun e Brukselit dhe me trajtimin vëllazëror të kësaj çështje nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si dhe nga BE dhe miqtë tanë ndërkombëtarë dhe nga bota demokratike, do t'i kontribuohej mirëqenies, paqes dhe stabilitetit në Ballkan, duke shndërruar atë nga "fuçi baruti" e rreziku e destabiliteti, në garancë  për paqen, mirëqenien dhe stabilitetin në rajon!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës!

Zoti i bektoftë të gjithë shqiptarët, kudo që janë!

Me respekt dhe dashuri të pafund vëllazërore,

Kryetari,
Mr. Nehat Hyseni

Prishtinë, më 24 maj 2016

No comments:

Post a Comment